Në prag të stinës së Dimrit, është mbledhur këtë të martë shtabi i Mbrojtjes Civile në Bashkinë e Bulqizës. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin drejtues vendor, nënprefekti i Bulqizës, të institucioneve qëndrore në nivel vendor, të policisë etj. Në fokus të mbledhjes ishte diskutimi dhe ndërmarrja e të gjitha hapave të domosdoshme për përballimin e situatave që mund të krijohen gjatë dimrit. Kryetari i Bashkisë Lefter Alla kërkoi angazhim maksimal të të gjitha strukturave të Bashkisë për të shmangur çdo problematikë të mundshme që mund të burojë nga reshjet e stinës.
Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë, Flamur Meta, kërkoi që të kontrollohen rrjetet e furnizimit me ujë të pijshëm në zonat rurale pasi kanë paraqitur probleme.
Nga ana e tij Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu kërkoi marrjen e masave nga ana e institucioneve për përballimin e situatës dimërore, kryesisht në furnizimin me energji elektrike dhe mbajtjen e rrugëve të hapura.
Në fund të mbledhjes u lanë detyra konkrete për secilin institucion.