Kryeministri Rama mblodhi pasditen e së mërkurës Kryesinë e Partisë Socialiste, e cila u mbyll pas gati 4 orësh diskutimi.
Burime bëjnë të ditur se ka pasur analizë të qarqeve dhe bashkive në çdo detaj, ndërsa kanë folur thuajse të gjithë të pranishmit.
Burimet bëjnë të ditur se kryesia e PS ka vendosur që të shkohet në zgjedhjet e 30 qershorit. “Këtë javë do të zhvillohen konsultime dhe më pas do të përcaktohen kandidatët. Do të respektojmë Kushtetutën duke shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit. Do të respektojmë afatet e KQZ. Vazhdojmë përpara: zgjedhje me standarde dhe të qeta!”
Ndërkohë, për gazetarët foli ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila u shpreh se mazhoranca do të shkojë në zgjedhje më 30 qershor, ndërsa tha se PD e LSI kanë vendosur të dalin nga sistemi dhe sipas saj, ata nuk janë opozita.
“Disa parti kanë vendosur të dalin nga sistemi politik. Ne kemi diskutuar për zgjedhjet e 30 qershorit sepse jemi të vendosur të garantojmë një proces zgjedhore me shqiptarët dhe për shqiptarët. Ne nuk do shkojmë në zgjedhje pa opozitën. Ata nuk janë opozita e vendit, por disa parti që kanë dashur të mos jenë pjesë e sistemit. Ato e kanë marrë vendimin prej frikës. Arsyeja jonë përket me interesin e përgjithshëm, që shqiptarët të kenë zgjedhje më 30 qershor”, tha Spiropali.