Mblidhet Këshilli i Bashkisë Mat, debate për Qafshtamën

0
6


Është zhvilluar mes debateve këtë të enjte mbledhja e këshillit bashkiak mes këshilltarëve, përfaqësuesve të bashkisë Mat dhe disa banorëve të Njësisë Administrative Komsi. Megjithëse rendi i ditës kishte katër pika, kohën më të madhe të mbledhjes e mori pika e katërt edhe pse me vendim unanim u hoq nga rendi i ditës. Që në fillim të mbledhjes disa nga këshilltarët kërkuan që kjo pikë të hiqej pasi jo vetëm materialet nuk kishin kaluar nga komisioni përkatës, por njoftimi për mbledhje ishte bërë dy ditë më parë. Gjithsesi, pika për heqjen nga fondi Pyjor e Kollusor publik të sipërfaqes që do të përdoret për ndërtim HEc-i dhe nxjerrje minerali gëlqeror, u kthye në debat. Edhe pse kjo pikë përmbante dy projekt-vendime, diskutimi u bë për heqjen nga fondi pyjor të sipërfaqes prej 0.56 hektar në vendin e quajtur Qafshtamë – Ketë2. Këshilltarët që morën fjalën kërkuan shtyerjen e kësaj pike për tu njohur me dokumentacionin. Po ashtu edhe kryebashkiaku Nezir Rizvani.
Ndërkohë disa nga banorët që morën fjalën kërkuan që pika të diskutohej në këtë mbledhje dhe të vendosej për kundërshtimin e kërkesës për heqjen nga fondi pyjor të sipërfaqes në fjalë. Drejtori i Drejtorisë së Politikave të Zhvillimit Ekonomik, Bujqësisë dhe Pyjeve Vebi Stana, tha se firma ka paraqitur të gjithë dokumentacionin përfshirë lejet e marra nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Ministria e Mjedisit:
Pas këtyre debateve e diskutimeve, Këshilli vendosi shtyerjen e kësaj pike si dhe nisi me pikat e tjera në rendin e ditës. Pasi dëgjuan relacionin e drejtuesve të zyrës së shërbimit social, këshilltarët miratuan projektvendimin propozim të ndihmës ekonomike për muajin Prill, projektvendimin e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe kompensimin e energjisë elektrike për muajin Mars si dhe fondin 6% të ndihmës ekonomike për muajin Mars.