Me këtë rend dite nisi të hënën në orën 10.00 mbledhja e jashtë radhe e Këshillit bashkiak Mat, vazhdim i mbledhjes së kaluar, ku fiilimisht këshilltarët u njohën me projektvendimin mbi disa ndryshime në Paketën fiskale për vitin 2020, për Tarifat për linjat ajrore dhe nëntokësore, për hedhjen e inerteve dhe materialeve të tjera dhe për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura nga biznesi i madhe dhe i vogël, projektvendim ky që konsumoi edhe debat. Kryetarja e këshillit bashkiak Elisa Gjasta dhe këshilltari Luftim Vani kërkuan sqarime të mëtejshme mbi këtë Projektvendim. Madje këshilltari Vani vuri theksin te fakti se shërbimi i shtrirjes së linjave kabllore ajrore e nëntokësore është një shërbim në të mirë të komunitetit dhe se një rritje e parashikuar e tarifimit mund të çojë në falimentimin e biznesit. Këshilltarët kërkuan rishikimin e këtij projektvendimi dhe miratimi i tij, pasi të rishikohet u shty për në mbledhjen e ardhshme.

Edhe pse gjeti miratimin e këshilltarëve, debate konsumoi edhe pika 2 e rendit të ditës për miratimin e projektvendimit për një ndryshim në buxhetin e vitit 2020, me synim vënien në punë të automjeteve të dhuruara Bashkisë Mat, rehabilitimin e linjës së ujësjellësit në veprën e marrjes Vinjoll, si dhe rikonstruksion të varrezave.

Këshilltarët miratuan me vota unanime edhe pikën e 3 të rendit të ditës që kishte të bënte me Përdorimin e fondit të emergjencave prej 100 mijë lekësh për kryerjen e Atk-ekspertimit të objektit të ish Hotelit të Uzinës së Ferrokromit, ku atualisht banojnë 59 familje, me synim mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së këtyre banorëve.

U miratuan njëzëri në këtë mbledhje të Këshillit bashkiak Mat edhe projektvendimet për dhënie ndihme financiare me një vlerë prej 200 mijë lekësh për katër familje të dëmtuara që në vitin 2010 nga fatkeqësia natyrore e rrëshqitjes së tokës.

Në zbatim ligjeve dhe udhëzimeve të Qeverisë për implementimin e masave anticovid Këshilltarët miratuan këtë të hënëpërdorimin e një fondi të Mbrojtjes Civile për ndërtimin e dhomës së dezinfektimit pranë Bashkisë Mat, jo vetëm për punonjësit por edhe për qytetarët që duan të marrin shërbime pranë kësaj bashkie.

Këshilli  bashkiak Mat miratoi edhe kërkesën e 19 familjeve të Bashkisë Mat për shpalljen e tyre si të pastreha.

Për pikën 10 të rendit të ditës, për kthimin në fond banese të ish Zyrave të Ndërmarrjes së Përpunim drurit, Burrel, për t’i hapur rrugë Entit Kombëtar të banesave për implementimin e projektit për ndërtimin e 3 pallateve si banesa sociale, Këshilltarët kërkuan të plotësohej me dokumentacionin shoqërues kadastral.

Këshilltarët miratuan me shumicë votash edhe pikat e tjera të rendit të ditës, mes të cilave edhe Një ndryshim në Rregulloren e Brendshme të Këshillit, me synim implementimin e një projekti kombëtar për transmetimin live të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak për të gjithë komunitetin, në median lokale dhe rrjetet sociale të Bashkisë Mat.