Këshilli i Bashkisë së Matit zhvilloi këtë të premte mbledhjen e radhës, me këshilltarë të pranishëm në sallë por edhe me platformë online, me një rend dite të ngjeshur.
Pasi u miratua në parim, këshilli shqyrtoi pikat e rendit të ditës një e nga një. Këshilltarët e pranishëm miratuan pikën e parë në rendin e ditës, atë të fondit 6% të ndihmës ekonomike për muajin Janar. Po ashtu, këshilltarët miratuan me 11 vota pro, një kundër dhe një abstenim projektvendimin për një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.138 datë 22.12.2020. Kjo pikë i parapriu sigurimit të buxhetit të nevojshëm për lidhjen e marrëveshjes midis Bashkisë Mat dhe Save the Children. Ndërkohë këshilltarët e pranishëm miratuan me 12 vota pro dhe një kundër pikat pasuese, shtesë në buxhetin e vitit 2021, shtesë në planin e të ardhurave në buxhetin e bashkisë për vitin 2021, projektvendimin për raportin e vlerësimit të të ardhurave për vitin 2021 – 2023, projekt-vendimin për bashkëfinancimin e një projekti midis Ministrisë së Financave e Ekonomisë dhe Drejtorisë së Strehimit Social Bashkia Mat. ndërkohë pika 10 e rendit të ditës, rishqyrtm i projektvendimit për heqjen nga inventari i ndërtesës ish-poligoni i qitjes, kthyer nga prefekti i qarkut, nuk mori votat e nevojshme për miratim pasi një vendim i till merret nga 3/5 e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve. Pikat vijuese në rendin e ditës, morën shumicën e nevojshme për miratim, si projekt-vendimi për trasnferimin e pronës Nr.2/26 “Qendra e Mobilizimit” nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në pronësi të Bashkinë Mat. pikat e fundit ishin dhënie burse për nxënës të arsimit parauniversitar si dhe ndihma sociale për të dëmtuar nga fatkeqësitë.