Këshilli i Bashkisë së Dibrës është mbledhur këtë të enjte në një mbledhje e cila kishte vetëm dy pika në rendin e ditës. Këshilltarët e pranishëm diskutuan mbi projekt-vendimin e ndihmës ekonomike për muajin Maj të këtij viti. Pasi dëgjuan anëtarët e komisionit përkatës, Këshilli e miratoi këtë pikë me të gjitha votat e anëtarëve të pranishëm.

Më pas Këshilli kaloi në pikën e dytë, atë të projekt-vendimit për një ndryshim në vendimin numër 9, datë 31 Janar të këtij viti, mbi kriteret e përcaktimit të zonave të administrimit të parkimit, të destinuar për parkingjet e rezervuara në qytetin e Peshkopisë dhe tarifat e shërbimit të arkëtimit të administruara nga Bashkia Dibër. Kjo pikë e rendit të ditës vinte nga mbledhja e kaluar, ndërsa u miratua me votat e nevojshme gjatë mbledhjes së sotme.

Ndërkohë, ndryshe nga shumë mbledhje të kaluara, këtë të enjte nuk pati debate me këshilltarët opozitar, pasi këto të fundit e kishin braktisur mbledhjen e këshillit bashkiak Dibër në shenjë proteste, për mosrealizimin e kërkesave të tyre, që kanë të bëjnë me hidrocentralin Skavica dhe mocionin e mosbesimit për kryetaren e Këshillit bashkiak, Irini Shehu.