Këshilli i Bashkisë së Matit zhvilloi këtë të hënë një mbledhje jashtë radhe për të diskutuar tre pika në rendin e ditës.
Pas miratimit të rendit të ditës këshilltarët nisën shqyrtimin e pikave një e nga një. Fillimisht këshilli nisi me pikën e projekt-vendimit për organizimin e Agjensive të Patransferueshme në varësi të Bashkisë së Matit, një riorganizim ky i ri i propozuar dhe drejtuar për të gjitha bashkitë e vendit nga Ministria për Pushtetin Vendor. Arsyetimi i dhënë nga drejtoria juridike nuk i bindi tre këshilltarë të opozitës të cilët dy abstenuan dhe një votoi kundër, nga 13 këshilltarë gjithsej që ishin në këtë mbledhje. Edhe pika e radhës e rendit të ditës kishte të bënte për të njëjtën çështje, atë të riorganizimit të ndërmarrjes së shërbimeve bashkiake, i krijimit dhe mënyrës së organizimit të Agjensisë së Funksioneve të Transferueshme në varësi të Bashkisë së Matit. Edhe për këtë pikë këshilltarët kërkuan më shumë qartësi në lidhje me ndarjen në agjensi të strukturës së pushtetit vendor. Me 10 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime as kjo pikë e rendit të ditës nuk kaloi, ndërsa pritet që këshilli të rimblidhet brenda një kohe të shkurtër sërish për këto çështje. Në pikën e të ndryshmeve këshilltarët diskutuan kërkesa e ankesa të ardhura për zgjidhje nga komuniteti.