Këshilli i Bashkisë së Matit u mblodh këtë të hënë në një mbledhje jashtë radhe, ku në rendin e ditës ishin parashikuar 6 pika. Këshilltarët u njohën me pikën e parë në rendin e ditës me projekt-vendimin për një ndryshim në buxhetin e vitit 2020. Fillimisht ishte kryetari i Komisionit të Ekonomi-Financës, Halit Palamani i cili shpjegoi projekt-vendimin i paraqitur nga administrata e Bashkisë. Ndryshimet ishin parashikuar në heqjen e fondit të parashikuar për investim në veprën e marrjes së ujësjellësit që furnizon qytetin e Burrelit. Duke qenë se tashmë është miratuar projekti për ndërtimin e ujësjellësit të madh për 11 fshatra e që parashikon shtim të prurjeve edhe në rrjetin ekzistues, fondi i parashikuar në buxhetin e bashkisë, do të përdoret për nevoja të tjera. Pasi morën sqarimet e nevojshme nga komisioni por edhe nga përgjegjësit e financës, këshilltarët votuan unanimisht këtë pikë.
Tre pikat e radhës kishin të bënin me ndërtimin e banesave me kosto të ulët në qytetin e Burrelit nga Enti Kombëtar i Banesave. Këshilltarët e pranishëm miratuan rezervimin e transferimin të një sipërfaqeje trualli dhe përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimin e banesave me kosto të ulët.
Pika e pestë në rendin e ditës ishte për miratimin e projekt-vendimit për listën e të pastrehëve. Pasi morën sqarimet e nevojshme nga përfaqësuesit e zyrës së emergjencave civile, këshilltarët miratuan listën dhe kërkuan që në kohë zbatimi të merren parasysh kriteret ligjore që parashikon ligji për të pastrehët. Pika e fundit ishte për miratimin e një sipërfaqeje nga fondi pyjor e kollusor në Ulzës për pyllëzim.