Mbeturinat Qaf Dushk, banorët fajësojnë automjete të ardhur nga Bulqiza
Zona e njohur si Qaf Dushk, mbi fshatin Kloskatund të Bashkisë së Klosit, vijon të ndotet çdo ditë. Mbeturinat po pushtojnë gjithë hapsirën e gjelbër të kësaj zone, duke u kthyer në një problem mjedisor shumë i madh. Banorët e Kloskatundit kanë vënë re automjete që vijnë nga drejtimi i Bulqizës që sipas tyre depozitojnë mbeturina në këtë zonë. Për të shmangur dërgimin e tyre pranë pikës së krijuar në vendin e quajtur “Antenat”, subjekte të ndryshme përdorin rrugën e vjetër në drejtim të Klosit dhe në mungesë të qarkullimit masiv të automjeteve për tu identifikuar, i hedhin mbeturinat në zonë. Jashtë kameras, banorët thonë se vënë re çdo ditë automjete që futen në zonën e pyllëzuar dhe shkarkojnë mbeturina, por distanca e largët nga banesat nuk e bën të mundur kapjen e tyre në flagrancë në momentin e shkarkimit. Ata i bëjnë apel pushtetit vendor në Klos që të nxjerrë grupe monitoruese në terren dhe të ndëshkojë këdo që vjen në këtë zonë dhe hedh mbeturina pa kriter. Që nga Qafa e Buallit e deri në afërsi të urës së fshatit Fshat, janë krijuar disa pika nga hedhja e mbeturinave nga persona të papërgjegjshëm.