Zona e njohur si Qafë Dushk, në fshatin Klokatund të Bashkisë së Klosit, është kthyer në venddepozitim të mbeturinave. Prej disa vitesh kjo zonë është e tejmbushur me mbetje nga më të ndryshmet, duke e bërë atë të papastër dhe të ndotur.

Veç mbetjeve plastike, gomave të automjeteve apo orendive shtëpiake, problem mbetet hedhja e produkteve të konsumit që kanë skaduar apo janë kalbur.

Subjekte të ndryshme tregtare shfrytëzojnë pikërisht këtë zonë për të hedhur mbeturinat e produkteve që nuk arrijnë t’iu shesin. Duke qenë se rruga tashmë ka shumë pak lëvizje, ata janë larg syrit të kalimtarëve dhe banorëve.

Jashtë kameras, banorët e zonës vazhdojnë të shprehen të shqetësuar për ndotjen që i shkaktohet kësaj zone dhe kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë.

Ata i bëjnë apel pushtetit vendor, por edhe institucioneve të tjera të higjenës apo policisë së shtetit që të gjejnë ndotësit e t’i përballin me ligjin.

Prania e mbeturinave të ndryshme që mund të rezultojnë helmuese i ka detyruar banorët të mos e shfrytëzojnë këtë zonë si kullotë për bagëtinë e tyre.