Banorët e Maqellarës në Bashkinë e Dibrës vijojnë të përballen me ndotjen e madhe të mjedisit të shkaktuar nga prezenca e mbeturinave në afërsi të tyre. Rruga e vjetër e Maqellarës vijon të përdoret si një venddepozitimi mbetjesh duke shkaktuar ndotje të tmerrshme të ambjentit. Mbeturinat që hidhen aty janë nga më të ndryshmet duke filluar nga plastika, tekstilet, kartona e deri tek kafshët e ngordhura. Banorët që jetojnë përreth shprehen se situata vijon të jetë shqetësuese për faktin se deri tani nuk ka patur një zgjidhje përfundimtare nga ana e Bashkisë së Dibrës. Ata thonë se shkak për këtë ndotje bëhet mungesa e kontejnerëve por edhe vetë banorët që i hedhin pa kriter. Stogu i mbeturinave ka shkuar aq shumë saqë ato kanë dalë edhe në rrugën e asfaltuar. Banorët i bëjnë apel pushtetit vendor që të ndërhyjë sa më parë, pasi veç ndotjes, këto mbeturina janë edhe një burim infeksioni.

Situata e ndotjes në bashkinë e Dibrës vijon të jetë shqetësuese. Në shumë zona nuk ka shërbim të grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave. Për këtë arsye, ndotja në disa pika është e lartë.