Hedhja e mbeturinave pa kriter është një shqetësim i vazhdueshëm për mbrojtësit mjedisor të cilët e shohin si fenomen të përhapur dhe ende pa zgjidhje në vendin tonë.

Pamjet që shihni janë pranë kurorës së pishave në Qaf Dushk, ku përveç mbeturinave tashmë janë shtuar edhe inertet që dalin nga rikonstruksioni i banesave.

Vetëm 3 ditë më parë, një kamionçinë është parë nga banorë të zonës të shkarkojë në Qafën e Dushkut inerte.

Në këtë vend janë hedhur mbeturina nga më të ndryshmet, që nga plastikat e deri tek orenditë shtëpiake.

Ndonëse ky problem është bërë mediatik herë pas here, asnjë masë nuk është marrë nga autoritetet vendore për pastrimin e mjedisit, ose për vënien para përgjegjësisë të personave që shkaktojnë ndotjen.

Pamjet tregojnë qartë ndotjen e shkaktuar në mjedis. Për specialistët, kjo ndotje është një kambanë alarmi pasi pasojat janë të rënda jo vetëm në ekosistem, por edhe në shëndetin e njeriut.

Sipas tyre, autoritetet duhet të ushtrojnë kontrolle dhe të zbatojnë ligjin për ndëshkimin e kujtdo që ndot mjedisin.