Krahina e Matit ka vlera të jashtëzakonshme natyrore jo vetëm në aspektin turistik por edhe atë botanik. Në zona të ndryshme gjenden bimë të rralla të cilat kanë tërhequr vëmendjen e studiesve. Profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Lulëzim Shuka, i cili prej më shumë se një dekade merret me studimin e bimëve endemike në vendin tonë, është ndalur në krahinën e Matit. Ndalesa e radhës e tij ishte në kanionin mbi urën e Vashës në rrjedhën e lumit Mat. Ndalesa këtu nuk ishte pa qëllim pasi aty gjenden disa bimë endemike të cilat deri sot nuk janë gjetur jo vetëm në vende të tjera të Shqipërisë por as në Ballkan e në botë, siç është bima e cila paraprakisht quhet Lule Këmbore.
Një tjetër zonë, e cila mbart vlera të mëdha bimore është kanioni i Gjabzës në Xibër, ku gjendet një tjetër bimë endemike që quhet Atamatadensa.
Për inxhinierin e pyjeve, Abdulla Diku, po bëhet shumë pak në lidhje me evidentimin dhe mbrojtjen e bimëve të rralla të vendit tonë. Po ashtu, ai sugjeron që këto bimë jo vetëm të mbrohen por të jenë edhe një atraksion turistik. Por nga ana tjetër, Diku shton se këto bimë rrezikohen nga vetë dora e njeriut, qoftë nga mungesa e informacionit, e qoftë nga hedhja pa kriter i mbeturinave.
Një pjesë e bimëve endemike në Mat janë regjistruar ndërsa një pjesë tjetër janë në studim e sipër dhe pritet të publikohen nga studiuesit në vazhdim.