Procesi i regjistrimit Fillestar të Pyjeve dhe Kullotave në pronësi të Njësive të Vetqeverisjes Vendore ka cënuar kufijt territorial që më parë ishin të përcaktuar nga rrethet. Kështu nga ky proces i regjistrimit të fondve pyjore e kollusore, në hartën paraprake të publikuar nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), rezulton që tërritori i Bashkisë Mat të jetë cënuar nga katër bashki fqinje, si Kruja, Kurbini, Mirdita dhe Dibra. Drejtori i Bujqësisë dhe Pyjeve në Bashkinë Mat, Agron Hastoçi tha se ky proces ka nisur në vitin 2019 dhe se është zbatim i VKM 433 e vitit 2016. Hastoçi tha se Bashkisë Mat i hiqen 1700 HA territor pyjor e kollusor, ku pjesën më të madhe e zë Mirdita duke i aneksuar Mat 1200 HA.
Bashkia e Matit ka nisur procedurat për të mbrojtur kufijt administrativo-territorial që dikur përcaktonin ndarjen administrative në rrethe. Për këtë Drejtori i Bujqësisë dhe Pyjeve në Bashkinë Mat, Agron Hastoçi tha se i është kërkuar ndërhyrje e menjëhershme Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit e asaj të Brednshme, për korrigjim të hartës, në të kundërt bashkia do t’i drejtohet gjykatës.
Ky proces duhet të mbyllet brenda muajit shtator të këtij viti, ndërsa janë këshillat Bashkiak ata që duhet të miratojnë listat e inventarit të pasurive pyjore e kollusore.