Disa vatra zjarri u shfaqën në pyjet me dushqe në zonën e Kograzhdit në afërsi të vendit të quajtur Ura e Karicës. Vatrat më të mëdha ishin poshtë rrugës nacionale, ndërsa një tjetër e cila rrezikonte përhapjen në të gjithë masivin pyjor me dushk ishte mbi rrugë. I ndihmuar nga era e fortë, zjarri nisi të pëhapej shpejt. Ndërkohë pas pak minutash mbërriti aty shërbimi zjarrfikës i bashkisë së Matit. Fillimisht nisi puna për shuarjen e vatrës së zjarrit në anën e poshtme të rrugës, ndërsa për vatrën mbi rrugë u desh ndërhyrje me pompa shpine. Falë ndërhyrjes së shpejtë vatrat e zjarrit u neutralizuan duke penguar përhapjen e mëtejshme. Kjo është hera e tretë që brenda pak ditësh në pyjet e Matit po shfaqen vatra zjarri. Strukturat vendore i bëjnë apel qytetarëve që të denoncojnë këdo që konstatohet duke vendosur zjarr në masivet pyjore.