Bashkia e Matit ka vijuar traditën e aksionit të pastrimit të territorit nga mbeturina të ndryshme të hedhura në mjedis të hapur. Ndonëse në kushte të papërshtatshme atmosferike, këtë të Mërkurë punonjës të administratës së Bashkisë së Matit dhe ato të institucioneve qëndrore në nivel vendor, dolën në terren sipas grafikut të paracaktuar për të bërë heqjen e mbeturinave.
Në këtë aksion u përfshi i gjithë territori qyteti i Burrelit ku zonat ishin të ndara për punonjësit e administratës. Po ashtu një aksion i ngjashëm është zhvilluar edhe në qendrat e njësive administrative ku janë të pozicionuara institucionet publike.
Edhe aksi nacional Burrel – Skuraj e ai Burrel – Ura e Lusës u bënë pjesë e këtij aksioni për pastrimin nga mbeturinat urbane. Punonjësit e angazhuar mblodhën të gjitha mbeturinat e hedhura përgjatë rrugës, që jo vetëm krijonin impakt negativ për vizitorët, por edhe një ndotje të madhe të mjedisit.
Megjithë shembullin e vazhdueshëm të dhënë nga institucionet publike, për fat të keq qytetarët nuk janë angazhuar as këtë herë në aksionin për pastrimin e mjedisit të tyre.