Një ndër problemet madhore të rrugës nacionale Burrel – Skuraj janë edhe veprat e artit. Përveçse rruga është degraduar në ditën e saj më të keqe, shumë vepra arti, si urat, janë në rrezik dëmtimi të plotë pasi janë ndërtuar njëherësh me rrugën nacionale.

E tillë është edhe ura e Karicës. Ky objekt ka qenë vazhdimisht problem për drejtuesit e mjeteve, ndërsa amortizimi i saj vijon me ritme të shpejta si pasojë edhe e mungesës së mirëmbajtjes.

Shtresa e urës është e çarë ndërsa është mbuluar si defekt me hedhjen e ndonjë lopate zhavor, por nuk është bërë asgjë për forcimin e saj. Ndërkohë dëmtim ka pësuar edhe ana veriore, teksa pjesa anash është shkëputur nga trupi i rrugës.

Përdoruesit e kësaj ure shprehen se është e frikshme kalimi sidomos kur mbi të është edhe një mjet i tonazhit të rëndë pasi ura dridhet dhe rrezikon të shembet. Rreziku qëndron edhe në faktin se në urën e Karicës nuk ka mbrojtëse anësore metalike, ndërsa ato ekzistueset ose mungojnë fare, ose janë tejet të amortizuara. Edhe trotuari për këmbësorë është i deformuar dhe i pasigurt për kalimtarët.

Por ajo që vihet re është edhe fakti tjetër i frikshëm se të gjitha urat në segmentin e rrugës nacionale Burrel-Skuraj, nuk kanë mbrojtëse metalike, përveçse ato prej betoni tejet të amortizuara. Megjithatë shpresëdhënës është fakti se ARRSH ka në projekt që të investojë në riparimin e urave dhe mbrojtëse anësore, duke i dhënë fund ankthit dhe pasigurisë së përdoruesve të aksit nacional Skuraj-Burrel-Peshkopi.