Rreth 290 hektar tokë bujqësore në fshatin Urakë të Njësisë Administrave Rukaj në Bashkinë e Matit janë prej 15 vitesh pa ujë vaditës. Kanali që nis nga burimi i Shutrresë në fshatin Bruç e përfundonte në afërsi të fshatit Ndrelalaj është jashtë funksioni. Në këto kushte toka bujqësore e Urakës është pa vaditje. Kjo ka bërë që rreth 90% e saj të mos punohet. Petrit Barlika, banor i fshatit Urakë thotë se në rreth 1 dekadë e gjysmë, askush nuk e riktheu në funksion këtë vepër vaditëse.
Administratori i Njësisë Administrative Rukaj në Bashkinë e Matit, Rasim Hoxha thotë se bashkia ka bërë të gjitha përpjekjet për rivënien në funksion të kësaj vepre vaditëse. Sipas tij, pranë ministrisë së Bujqësisë është depozituar projekti për investim në vlerën e rreth 30 milion lekëve të rinj.
Banorët e Urakës kultivojnë vetëm perime për konsum familjar të cilat i vaditin nëpërmjet puseve që kanë hapur. Rikthimin e kanalit vaditës, do të bënte që rreth 290 hektar tokë bujqësore të shfrytëzohej.