Kjo është familja e Iljaz Abdullajt nga fshati Kurdari në Njësinë administrative Suç në Bashkinë Klos. Kryefamiljari Iljazi, thotë se megjithë situatën e rëndë të krijuar nga virusi korona, nuk ka marrë asnjë ndihmë deri tani, ndonëse prej më shumë se 3 javësh qëndrojnë në shtëpi. Familja Abdullaj përbëhet prej 8 anëtarësh dhe babai i Iljazit është i paralizuar prej 2 vitesh.
Ndërkohë banori Shkëlqim Koca, thotë se jeton vetëm me bashkëshorten në shtëpi, por nuk mund të dalë të blejë ilaçe në qytetin e Burrelit pasi nuk i lejohet. Edhe Shkëlqimi shprehet se nga strukturat vendore të ngritura për tju ardhur në ndihmë të moshuarve që jetojnë vetëm, nuk ka shkuar askush.
Edhe Ylber Katuçi nga fshati Gurrë e Vogël ankohet se nuk është ndihmuar deri tani, ndonëse është edhe një prej familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar.