Hedhja e mbeturinave vend e pavend nuk është më një çështje e mungesës së vendeve të caktuara për t’i hedhur, por një edukatë që pothuajse i mungon secilit. Situata nuk është aspak e mirë në rrugët nacionale ku vetë qytetarët që udhëtojnë në këto akse, ndotin ambjentin.
Në një situatë të ngjashme është edhe rruga Klos – Burrel e pikërisht tek burimi në vendin e quajtur “Shkëmbi i kuq”. Pranë burimit për tu freskuar apo mbushur ujë ndalohen me dhjetra mjete gjatë ditës, por shumë pak prej drejtuesve të tyre apo udhëtarëve i marrin me vete mbeturinat e produkteve që konsumojnë.
Një pjesë vendosin t’i lënë aty, ndërsa pjesa tjetër mjaftohet për t’i hedhur jashtë rruge, por që nuk i shmangen dot as syrit të udhëtarëve që lëvizin aty.

Ndotja e këtij ambjenti nuk është aspak e hijshme pasi vetëm pak metra më tutje është vendosur një kontejner. Por jo vetëm kaq, i gjithë aksi nga këtu deri në Klos ka kontejner për hedhjen e mbeturinave për të gjithë ata që qarkullojnë në këtë rrugë.