Dy muajt e parë të pranverës u shoqëruan me mot jo të përshtatshëm për bujqësinë. Muaji Mars solli herë pas here reshje dëbore duke i lënë vendin shirave gjatë muajit Prill. Banorët e luginës së Matit thonë se ky mot i paqëndrueshëm po jep efekt negativ në bujqësi përfshirë këtu edhe frutikulturën. Duke qenë se temperaturat zbresin herë herë nën zero, kjo bën që bimësia të mos zhvillohet e në frutikulturë të ketë dëme. Një tjetër problem në këtë periudhë sipas banorëve është edhe lagështia. Prezenca e shiut për një kohë të gjatë, sjellë pasoja në sektorin e bujqësisë.
Sinoptikanët parashikojnë që kjo situatë do të zgjasë të paktën për të gjithë javën.