Rreth 5 vite më parë u investuan afro 2.3 miliard lekë të vjetra për ndërtimin e urës së re mbi Lumin Mat, ngjitur me urën e vjetër të ndërtuar në kohën e italisë. Bashkë me urën, u ndërtua edhe një sistem ndriçues me afro 30 shtylla.
Por si për çudi, ndriçuesit nuk u ndezën asnjëherë, duke shërbyer vetëm si dekor. Miliona lekë të siguruara nga taksapaguesit shqiptar dhe të investuara nga qeveria shqiptare, që prej fillimit të vitit 2016 kanë qëndruar vetëm si zbukurim në këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore.
Megjithëse linja elektrike është ngjitur me shtyllat e ndriçuesve në anën e fshatit Shoshaj, autoritetet përgjegjëse jo vetëm që nuk kanë bërë lidhjen e energjisë në mënyrë të përhershme, por as që janë testuar.
Për specialistët e qarkullimit rrugor, ndriçimi në këtë urë është i nevojshëm për shkak edhe të konstruktit të urës e cila vjen në formë kthese. Kjo sipas tyre do të ndihmonte në fushëpamje drejtuesit e automjeteve gjatë lëvizjes natën mbi të.