Të gjithë nxënësit e shkollave në Mat e Klos nesër do t’i rikthehen mësimit pas 3 ditëve pezullim gjatë kësaj jave. Njoftimi vjen pas verifikimit të të gjitha godinave arsimore nga specialistët e emergjencave civile në bashki. Në njoftimin e dhënë në rrjetin social Facebook nga ZVA Mat thuhet:

“Nesër me 2 Dhjetor 2019 rifillon mësimi në të gjitha shkollat e Rrethit Mat.
Drejtoritë e shkollave të marrin masa për hartimin e një plan-emergjence vetëm për rastet e fatkeqësive natyrore dhe mesuësit të udhëhequr nga mësues të edukimit fizik, të biokimisë të organizojnë demonstrim me nxënësit të daljes, sjelljes dhe menaxhimit të panikut në rast tërmeti. Gjëja e parë kjo do të jetë në shkolla nesër. Video të kësaj keni të publikuar në FB e ZV A Mat.
Merrni masa për rifillimin normal të mësimit. Psikologet, punonjësit social, mësuesit të jenë në krye të detyrës për pritjen sa më mirë të nxënësve”.

Ndërkohë, Njësia e Shërbimit Psiko-soacial bën një tjetër njoftim.

“Njësia e shërbimit psiko – social në shkollat e qytetit dhe në Baz e Komsi do ta fillojnë ditën që në orën 8:00 me takimin me mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, për të treguar çfarë të bëjnë me nxënësit.
Të gjithë mësuesit kujdestar me klasat e tyre orën e parë të flasin për tërmetin, si e kanë pêrjetuar vetë dhe nxënësit me familjet e tyre? Çfarë mendojnë dhe gjithçka që duan të tregojnë.
Të presin nxënësit me shumë miqësi duke treguar gjëra pozitive duke qëndruar gjithë kohën pranë tyre.
Nëse kanë ndonjë informacion për nxënës që kanë humbur njerëz të afërt nga tërmeti të njoftojnë brenda ditës psikologet në shkollë.
Në klasa të caktuara ku ka përjetime negative, frikë apo panik do të futen psikologet.
Dita të mbyllet me mbledhjen e stafeve për çdo problematikë të nxënësve apo familjeve të tyre apo nxënës të ardhur nga zonat e prekura nga tërmeti”

– thuhet në udhëzimin e Shërbimit Psiko-social në shkolla.