Mbi 100 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Rexhep Kërtuka”, Frankth, të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit do të zhvillojnë tashmë mësim në mjedise plotësisht të reja. Me financim të Bashkisë Mat dhe organizatës “Vizion OJF”, është bërë i mundur ndërtimi i një godine të re në afërsi të shkollës së vjetër. Këtë të Martë është bërë përurimi i përfundimit të të gjitha punimeve në godinën e re shkollore. Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Mat, veç falenderimit ndaj donatorit, u kërkoi mësuesve, prindërve por edhe nxënësve, që të kujdesen për ambjentet e reja ku do të mësojnë në vijim.

  Drejtoresha e organizatës “Vizion OJF”, Suela Koçibellinj tha se investimi në arsim është investim për të ardhmen, ndaj dhe organizata që ajo drejton do të jetë gjithmonë në mbështetje të projekteve të tilla.

Në emër të stafit pedagogjik, nxënësve dhe komunitetit të prindërve të shkollës 9-vjeçare “Rexhep Kërtuka”, Frankth, përshëndeti drejtoresha e kësaj shkolle Miranda Bruçi.

  Të pranishëm në ceremoninë e inagurimit të shkollës së re “Rexhep Kërtuka”, Frankth,  ishin nënprefekti i Matit, Hasan Pasha, Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Mat, Shpresa Tusha, Kryetari i Këshillit Bashkiak Mat Altin Bojni, Nënkryetarja e Bashkisë Mat, Flutura Biba, përfaqësues të komunitetit të prindërve e banorë të zonës.