I nxehti që ka mbërthyer vendin javën e fundit ka vënë në vështirësi fermerët të cilët nuk kanë ujë vaditës për të mbjellat e tyre. Banorët e fshatrave Rrethe Baz dhe Drita në Njësinë Administrative Baz në Bashkinë e Matit, shprehen se mungesa e ujit vaditës, ka bërë që të mbjellat e tyre kryesisht misër, të jenë drejt tharjes.
Për banorët e rrethe Bazit mungon pompa që sillte ujë nga lumi Mat, ndërsa për banorët e fshatit “Drita”, mungon kanali vaditës që sjell ujë nga rezervuari i Karicës. Vetë banorët shprehen se të mbjellat e tyre në vitet e fundit po shkojnë dëm për shkak se uji vaditës nuk shkon në kohë, ose nuk shkon fare pranë parcelave të tyre.
Të dy këto fshatra kanë qenë problematik në dekadën e fundit për shkak të mungesës së vaditjes e cila është reflektuar me ulje të ndjeshme të sipërfaqes bujqësore të kultivueshme.