Në kuadër të Aktivizimit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, bashkia e Matit nëpërmjet sektorit të Shërbimit Social e me mbështetjen e shkollave të qytetit të Burrelit, zhvilloi këtë të hënë një marshim sensibilizues.

Me banderola në duar, marshuesit u nisën para godinës së Bashkisë së Matit dhe zhvilluan një marshim në rrugët e qytetit, për të dhënë mesazhin e ndaljes së dhunës ndaj grave. Specialistja e Shërbimit Social në Bashkinë Mat, Klaudia Kola, tha se kjo fushatë synon ndërgjegjësimin e qytetarëve në eleminimin e dhunës ndaj femrave.

16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, është një Fushatë Globale që organizohet çdo vit. Fushata fillon në 25 Nëntor, Ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës Kundër Grave dhe përfundon në 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.