Marrshim sensibilizues nën sloganin “Stop trafikimit”, në përmbyllje të projektit të Qeverisë së Nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Tahir Hoxha”, Klos, në kuadër të muajit tetor, i shpallur si muaji kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Nxënësit, nën udhëheqjen e mësuesve kujdestarë, të Qeverisë së Nxënësve, të punonjësve të shërbimit psikosocial të shkollës kishin përgatitur pletëpalosje, postera dhe pankarta ku i bëhej thirrje shoqërisë dhe instancave përgjegjëse që të bëhemi të gjithë bashkë për t’i thënë Stop këtij fenomeni që po dëmton çdo ditë e më shumë shoqërinë tonë.
Gjithashtu ata shpalosën rezultatet e projekteve të tyre kundër trafikimit të qenieve njerëzore se si duhet ta denoncojmë dhe masat që duhet të merren kur konstatojnë raste të trafikimit. Fletëpalosje dhe postera të tilla ata i shpërndanë këtë të mërkurë nëpër qytetin e Klosit përgjatë marrshimit sensibilizues e ndërgjegjësues të qytetarëve.
Pjesë mbështetëse e këtij aktiviteti u bë edhe Bashkia Klos, përmes Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Njësisë së Integrimit Europian. Protagonistët e këtij aktiviteti sensibilizues u shprehën kështu për mikrofonin e “Mat Televizion”:
Trafikimi i njerëzve është një kërcënim shumë dimensional, mjaft i rrezikshëm, që nënkupton rekrutimin, transportimin, transferimin e personave me anë të kanosjes, përdorimit të forcës, apo me anë të formave të tjera, shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, keqpërdorimit të pushtetit etj.