Ditët me shi pritet të ndërpiten që nga e diela për tu rikthyer moti me diell dhe temperatura të larta. Për rreth 3 muaj, moti në vendin tonë ka qenë i paqëndrueshëm duke sjellë reshje shirash me interval të shpeshta, thuajse të përditshme.

Edhe temperaturat kanë qenë jo normale për periudhën stinore qoftë në muajt e dytë të pranverës e qoftë në muajin e parë të verës.

Specialistët thonë se këto kushte atmosferike kanë sjellë pasoja të rënda në sektorin e bujqësisë duke shkaktuar dëme të mëdha në frutikulturë por edhe në kultura të tjera.

Sinoptikanët parashikojnë që nga e diela kushtet atmosferike do të ndryshojnë totalisht ku do të kemi mot me diell dhe rritje të ndjeshme të temperaturave. Gjatë ditës së dielë, termometri pritet të shkojë deri në 27 gradë Celsius për të vijuar gjatë gjithë javës së ardhshme në rritje, ku në fundjavë do të kapë vlerën e 34 gradëve.

Muaji Qershor pritet të mbyllet me vlera thuajse të njëjta të termometrit që do të jenë nga 18 deri në 32 gradë Celsius. Fermerët tashmë mund të nisin nga puna për të korrur barërat me siguri që nuk do të kalben nga reshjet e shirave apo të nisin korrjen e grurit.