Marjana Koçeku: Kush e humbet lidhjen me tokën, s'mund t'i zihet besë!

Marjana Koçeku: Kush e humbet lidhjen me tokën, s'mund t'i zihet besë!

Anëtarja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar ashpër ndaj dokumentit “BESA” që kryeministri Edi Rama iu dorëzoi grupit parlamentar dhe kabinetit të tij. Në rrjetet sociale, Koçeku shprehet se “flasin për besën njerëz që s’ia kanë idenë se çfarë është”. Ajo ka sqaruar me tre pika se si funksionon dhënia e fjalës sipas saj, duke theksuar se “nuk mund t’i zihet besa njerëzve që e humbin lidhjen me vendin e tyre”.

Koçeku vijon: “Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa. Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish, e tu qenë e pashkrueme, ajo asht kontratë thellësisht natyrore. T’parët tanë nuk kanë qenë të mangët kur fjalën dhe besën e dhanë e lidhnin me tokën, lugun, malin e gurin. Këto nuk kanë qenë thjesht dekori i besës, por dëshmitarët e saj, vetë substanca e saj. E kanë ditë se njeriu nuk mundet me i dhanë besë tjetrit, tue ia pre besën vendit ku jeton.”

“Së dyti, ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malsorët asht jashtë mase i shenjtë. Prandaj nuk e shesim ne tokën dhe kullën. Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze e resorte, por nuk asht ma besë. Se këtë lloj bese deri tash e kemi pa kryesisht veç nëpër filmat me mafiozë dhe spekulantë financiarë. Dihet sesi përfundojnë.”

Ajo thekson më tej: “Së treti, unë e di mirë prej kodit të malësisë nga vij se, edhe kur gjaksit apo njerëzit e krimit, kur duen me i mbyllë problemet e tyne, përveç ligjit, kudo që ndodhen nëpër botë, edhe pse mund të kenë ndërtue kulla luksoze apo jetojnë në resorte, janë të detyruem me ardhë e me e lyp besën te kulla e vjetër e të parëve, te logu apo te kisha e vjetër e fshatit. Pse? Sepse aty asht lidhja e vjetër shpirtnore të cilën ata e kanë humbë. Vetëm aty kanë mundësinë me u kthy edhe njiherë njerëz. Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!”