Rama: Katër Universitete të Reja Ndërkombëtare Përgjatë Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria është drejt finalizimit të një marrëveshjeje me një rrjet të njohur universitetar me bazë në Londër, e cila do të sjellë hapjen e katër universiteteve të reja ndërkombëtare në vend. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë në Shqipëri.
Sipas Ramës, pjesë e kësaj marrëveshjeje ambicioze është plani për të hapur një universitet mjekësie në Fier, një universitet i përgjithshëm në Vlorë, një qendër për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale në Korçë, si dhe një tjetër universitet i përgjithshëm në Tiranë.
“Me shumë gjasë, së shpejti, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare të botës, i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier. Universiteti mjekësor i Fierit do të jetë ndërkombëtar, me reputacion ndërkombëtar, me studentë shqiptarë dhe nga e gjithë bota,” theksoi Rama. Ai shtoi se janë shumë afër një studimi përfundimtar fizibiliteti, i cili duket "fantastik."
Kryeministri bëri të ditur se ky do të jetë një investim shumë i madh, ku Shqipëria do të vërë në dispozicion infrastrukturën, ndërsa partneri ndërkombëtar do të sjellë pedagogë. Një komponent i rëndësishëm do të jetë edhe përzgjedhja e pedagogëve shqiptarë, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga diaspora.
Detajet e planit përfshijnë:
- Fier: Universitet Ekselence për Mjekësinë.
- Vlorë: Universitet i Përgjithshëm, i parashikuar si më i madhi ndër të katërt, me ambicien për t'u instaluar në qendër të qytetit, pranë Sheshit të Flamurit, për të krijuar një dinamikë të re ndërkombëtare.
- Korçë: Universitet i specializuar për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.
- Tiranë: Një tjetër Universitet i Përgjithshëm.
Synohet që marrëveshja të konkludohet brenda këtij viti, me fillimin e mësimit në dy nga katër universitetet gjatë sezonit akademik 2027-2028, dhe në dy të tjerët në sezonin 2028-2029, duke e bërë të katërta funksionale.