12 Shtator 2026 SHIU FIK TË GJITHA VATRAT E ZJARRIT NË QARKUN DIBËR
Të gjitha vatrat e zjarrit që ishin aktive një ditë më parë në Qarkun Dibër janë fikur si pasojë e reshjeve të shiut. Ndonëse këta të fundit nuk kanë qenë me intensitet të lartë, reshjet kanë bërë të mundur fikjen e vatrave që ishin ende aktive në malin e Cerujës në Klos, në Qafë Helmes të Bulqizës dhe në fshatrat Lundre e Madhesh të Bashkisë Mat. Intensiteti i rehjeve të shiut u rrit gjatë mesditës duke bërë që të gjitha vatrat e zjarrit të fiken plotësisht. Qarku Dibër u përball për më shumë se një muaj me zjarre të shumta, por dëmet më të mëdha u shkaktuan nga flakët në Parkun Kombëtar "Lurë - Mali Dejës" ku u dogjën dhjetra hektar me pemë halore. Po ashtu, dëme të mëdha u shkaktuan nga zjarret edhe në Njësinë Selishtë të Dibrës pasi flakët përshkuan dhjetra hektarë deri sa vatra e zjarrit kaloi në fshatin Cerujë të Klosit. Edhe fshatrat Lundre, Trodhën e Madhesh në Njësinë Administrative Ulëz në Bashkinë Mat u prekën nga zjarret. Flakët dogjën stane e banesa, ndërsa u punua vazhdimisht nga toka dhe ajri për të mos lejuar flakët të futen në luginën e Shkopetit dhe të mos digjen banesa të tjera.