Rruga e Maqellarës nga ajo nacionale deri në qendër është kthyer në një burim aksidentesh dhe rreziku për banorët. Ajo funksionon për lëvizjen e mjeteve në të dy kahet, por edhe për parkim në njërën anë të saj. Kjo ka bërë sipas qytetarëve të kthehet në një burim të rrezikshëm për aksidente. Ata thonë se janë me dhjetra rastet kur makinat kanë goditur njerëzit teksa kalonin në anën tjetër të rrugës. Vetëm në njërën anë ka trotuar, ndërsa mjetet parkohen vend e pavend. Vetë banorët shprehen se rruga duhet të kthehet njëkalimëshe dhe të ndërtohet trotuar edhe në anën tjetër, pasi vetëm në këtë mënyrë zvogëlohen mundësitë e aksidenteve.
Më problem situata paraqitet gjatë paradites pasi janë edhe nxënësit e shkollave. Ata dalin me grupe në rrugë, duke rrezikuar kështu jetën. Banorët i bëjnë apel pushtetit vendor të ndërhyjë sa nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi e madhe.