Maqellarë, mbjell grurë për konsum familjar

Maqellarë, mbjell grurë për konsum familjar

Nëse shumë fermerë e mbjellin grurin për tregti, ndryshe ndodh me fermerin Latif Lata nga fshati Burim i Njësisë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër. Latifi shprehet se grurin e mbjell prej disa vitesh vetëm për konsum familjar, pasi nuk ka siguri në cilësinë e miellit të importit. Prej më shumë se 8 vitesh ai prodhon grurin e tij dhe e konsumon, duke mos blerë miell apo bukë nga tregu vendës. Këtë vit fermeri Lata ka kultivuar dy dynym e gjysmë tokë me grurë dhe shpreson të marrë deri në 14 kv prodhim. Latifi është i vetëdijshëm që kostoja e shërbimeve është e barabartë me koston e prodhimit që merr, por e rëndësishme sipas tij është se konsumon bukë nga grurë i sigurtë që del nga toka që ai e kultivon. Problemi i përbashkët për të gjithë fermerët janë kostot e larta të proceseve bujqësore që tekalojnë vlerën e prodhimeve. Si fermeri Lata janë disa në zonë e Maqellarës që kultivojnë grurë për ta konsumuar gradualisht me familjen, në vend që ta blejnë miellin të gatshëm në treg.