Fusha e Maqellarës në Dibër ka qenë një ndër zonat më prodhuese jo vetëm në rang qarku por edhe në rang vendi. Banorët kujtojnë se kjo zonë ishte Myzeqeja e dytë për shkak të prodhimit të lartë që jepte në sektorin e bujqësisë. E ndonëse është e njëjta tokë, sot ajo është thuajse e lënë totalisht djerr. Qindra hektar tokë bujqësore në Maqellarë janë të papunuara e të pa kultivuara. Banorët shprehen se kjo ka vetëm një arsye e cila është mungesa e ujit vaditës. Veprat që dikur furnizonin me ujë këtë zonë, janë dëmtuar si pompa që merrte nga lumi Drin i Zi e po ashtu edhe kanalet me vetërrjedhje që merreshin nga mali i Bllacës e më gjerë. Banorët shprehen se në këto 30 vite ka munguar iniciativa e drejtuesve vendor dhe atyre qëndror për të rikthyer vaditjen, pasi burimet janë jo vetëm ato të dikurshmet por edhe në malin e Obokut.
Mungesa e këtyre veprave vaditëse, sipas banorëve ka detyruar të rinjtë e Maqellarës të marrin rrugët e emigrimit duke lënë banesat bosh.
Banorët e Maqellarës kanë marrë disa herë premtime majtas e djathtas për tju siguruar ujin vaditës, por deri tani premtimet kanë mbetur vetëm në fjalë.