Maqellara vijon të përballet me ndotje të madhe të mjedisit. Mbeturinat e konsumit të përditshëm kanë mbushur rrugë e përrenj në këtë zonë duke u kthyer në shqetësimin më të madh të banorëve të kësaj njësie administrative. Situata më problematike viojon të paraqitet në rrugën hyrëse të Maqellarës në anën e Peshkopisë. Rruga e vjetër, është e tejmbushur me mbeturina që sa vijnë e shtohen çdo ditë. Pamjet janë vërtetë të rënda pasi mes mbetjeve të konsumit të përditshëm gjen edhe nga ato spitalore. Banorët e Maqellarës por edhe vetë udhëtarët shprehen se kjo situatë është e papranueshme dhe se pushteti vendor aty duhet që patjetër të bëjë zgjidhje përfundimtare të problemit. Ata shtojnë se pushteti vendor i mbulon ndonjë herë, por nuk merr masa për të vendosur kontejner dhe t’i tërheqë më pas nëpërmjet ndërmarrjes së pastrimit.
Situata bëhet akoma më problematike pasi fëmijët mbledhin metale në këto mbeturina për t’i shtiur për skrap. Një tjetër problem i banorëve që jetojnë përreth është edhe djegia e mbeturinave, pasi tymi dhe aroma e keqe ju hyjnë në banesa, duke u bërë një burim i rrezikshëm infeksionesh.