Objekte të ndryshme të nxjerra nga kërkimet arkeologjike në periudha të ndryshme në Mat, deri tani kanë qenë të ruajtura në ambjente të paekspozuara brenda Muzeut Historik. Ndërkohë, prej pak ditësh një grup arkeologësh nga Universiteti i Durrësit dhe vende të ndryshme të botës po punojnë me këto objekte për t’i bërë ato të ekspozueshme por edhe për të krijuar një inventar të tyre. Puna e arkeologëve konsiston edhe në analizimin e gjetjeve në mënyrë që informacioni për to të jetë i plotë. Për të parë nga afër punën e tyre, i pranishëm pranë Muzeut Historik Mat ishte Kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj i cili tha se puna në dokumentimin e historisë së Matit nëpërmjet arkeologjisë do të vijojë edhe në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Malaj tha se këto gjetje do të jenë të ekspozuara në vijimësi ku çdo vizitor në Muzeun Historik Mat të ketë mundësinë t’i shohë nga afër.

Puna e arkeologëve nuk është përqendruar vetëm në objektet brenda muzeut, por edhe në kërkime në terren në pika të ndryshme të rrethit të Matit, ku ka të dhëna historiografike apo gojdhëna për ngjarje e zhvillime të ndryshme që kanë lënë gjurmë në epoka të ndryshme.