Në paketën fiskale 2020 qeveria ka lehtësuar taksimin për makinat e luksit duke amortizuar vlerën e tyre me 10% në vit. Me ketë ndryshim, shpjegohet në relacion, Ministria e Financave po synon saktësimin e vlerës së mjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushë një automjet për t’u konsideruar automjet luksi. Me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj synohet që vlera e automjetit do të amortizohet çdo vit me 10% të vlerës së mbetur. Gjithashtu është parashikuar se vlera e shitjes së automjeteve të klasifikuara si “Automjet luksoz” nuk mund të jetë më e vogël se vlera e mjetit të amortizuar sipas amortizimit.
Ministria e Financave shpjegoi se ky propozim vjen si shkak i një numri të konsiderueshëm të kërkesë-padive në lidhje me uljen vit pas viti të vlerës se mjeteve të klasifikuara si mjete luksi. Të tilla kërkesa-padi apo ankesat nga pronarët e mjeteve për çmimin e mjetit, janë një numër i konsiderueshëm, fakt ky i cili ngarkon me kosto financiare që rëndojnë statusin e DPSHTRR-së, si person juridik, publik, i cili vetëfinancohet.
Gjithashtu kanë ndryshuar penalitetet me qëllim unifikimin e gjobës për pagesë të vonuar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura me gjoba të vendosura për detyrime tatimore të të njëjtës natyre të parashikuara në ligjin për Procedurat tatimore.
Gjithashtu këto ndryshime synojnë shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara për t’u përjashtuar nga taksat vjetore të mjeteve të përdorura dhe përjashtimin nga pagimi i taksës vjetore të automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.