Edhe këtë vit, “Livadhet e ketit” në fshatin Xibër – Hane në Klos kanë tërhequr qindra vizitor nga vende të ndryshme. Vetëm këtë fundjavë livadhet që mbajnë lulen e veçantë Nacisus Poetikus apo siç njihet ndryshe narcissi i poetit u vizituan nga dhjetra qytetar të ardhur nga Tirana, Bulqiza e zonë të tjera. Të apasionuarit pas natyrës dhe ecjes në këmbë, shijuan mrekullitë natyrore të zonës. Vizitorët ishin të moshave të ndryshme dhe qëndruan për disa orë mes lëndinës me lulen e poetit. Ata u shprehën të mahnitur nga bukuria që gjetën në destinacion duke e bërë ecjen në këmbë për rreth orë të papërfillshme.  E pranishme për të shijuar bukurinë e rrallë të “Livadheve të Ketit” në Xibër ishte edhe zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla. Zbulimi i kësaj perle natyrore për zëvendësministren tregon që vendi ynë ka shumë potenciale për zhvillimin e turizmit natyror. Xhembulla u shpreh se për këtë zonë do të shihet mundësia e shpalljes si park natyror apo zonë të mbrojtur.

 “Livadhet e ketit” gjenden mbi fshatin Xibër – Hane të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Këto livadhe janë sipërfaqja më e madhe në vendin tonë me lulen aromëmirë që njihet si Narcissus Poeticus apo lulja e poetit. Lulja reziston në një kohë të shkurtër 3 deri në katër javë dhe nis çeljen nga data 25 Prill.