Lugina e Shkopetit në rrugën nacionale Milot – Burrel, ndonëse është në zonat më të bukura të Matit vijon të ndotet pa pushim.
Mat Televizion e ka trajtuar disa herë ndotjen e kësaj rruge që bëhet në forma të ndryshme. Më problematike situata mbetet nga kufiri me Kurbinin e deri në vendin e quajtur sektori C.

Në këtë segment rrugor shumë përrenj apo ura janë të tejmbushur me mbeturina të llojeve të ndryshme. Në pirgjet e krijuara aty gjen nga plastika, shishet e qelqit e deri tek mbeturina të konsumit të përditshëm.

Ky aks rrugor në dy raste është pastruar me aksione në kuadër të fushatave kombëtare të pastrimit të territorit. Për heqjen e mbeturinave ka ndërhyrë edhe ushtria, por situata vijon të jetë mizerabël.

Ndonëse është pastruar disa herë, edhe vendpushimi pranë burimit të ujit është ndotur sërisht. E këtu janë udhëtarët që hedhin mbeturina pasi ndalen për të pushuar apo për të pirë ujë në burim.

Ndotja e luginës së Shkopetit përgjatë rrugës është dhe mbetet imazhi më i shëmtuar për udhëtarët apo për turistët që nisen të vizitojnë Matin.