Që nga fshati Skuraj i Kurbinit ku nis rruga nacionale Skuraj – Burrel pamja e luginës është tërheqëse për vizitorët. Rruga mes shkëmbinjëve që vargon anash liqenit të Shkopetit e bën pamjen të magjishme. Sidomos vizitorët e huaj janë ata që e kanë të pamundur t’i rezistojnë pamjes së kësaj lugine siç është rasti i këtyre tre vajzave të reja nga Gjermania. Në 8 kilometrat e kësaj lugine që e ndan përmes liqeni artificial i Shkopetit, pamja sipas tyre është magjepsëse mes ngjyrash të shumëllojshme që ofron bimësia përreth.

Të gjithë ata që e përshkojnë këtë luginë që lëvizin në drejtim të Burrelit apo anasjelltas, sidomos ata që e vizitojnë për herë të parë mrekullohen nga pamjet që shohin gjatë gjithë rrugës prej 8 kilometrash.

Por në antitezë me këtë mrekulli natyrore, gjendja e rrugës nacionale Skuraj-Burrel lë për të dëshiruar. I gjithë aksi rrugor është me prani gropash apo deformime. Përdoruesit e kësaj rruge kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë dhe ta rregullojnë infrastrukturën në mënyrë që ata që e vizitojnë për herë të parë këtë luginë, të duan të rikthehen sërish apo tjua sugjerojnë të tjerëve.

Prej shumë vitesh në këtë aks rrugor nuk është investuar siç duhet edhe pse Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lëvruar me qindra millionë lekë për mirëmbajtje çdo vit.

Dritan Kurti