Mbatja pastër e mjedisit vijon të jetë një çështje shqetësuese në mbarë vendin. Edhe pse në të paktën 2 vitet e fundit janë zhvilluar aksione periodike për pastrimin e territorit nga mbeturinat, ai vijon të ndotet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me luginën e Shkopetit.
Bashkia e Matit ka zhvilluar disa aksione pastrimi të kësaj lugine duke larguar me dhjetra ton mbeturina të hedhura vend e pa vend. Po ashtu, janë pastruar edhe hotspotet e krijuara pranë subjekteve që operojnë në këtë luginë.
E megjithatë, vendgrumbullimet e pastruara po rikthehen si më parë. Në këto kushte mësohet se Bashkia Mat ka paralajmëruar subjektet që të mos i hedhin mbeturinat në mjedis të hapur por t’i depozitojnë ato pranë pikave të përcaktuara, në të kundërt do të përballen me dispozitat ligjore në fuqi.
Për tju ardhur në ndihmë banorëve, njësive të biznesit dhe kalimtarëve, Bashkia e Matit ka vendosur kotejner në të gjithë gjatësinë e rrugës Burrel – Skuraj, por siç duket ndërgjegjësimi qytetar për të mbajtur pastër mjedisin është ende larg.
Edhe pse e gjithë rruga pastrohet të paktën njëherë në muaj nga aksioni i Bashkisë së Matit, ajo ndotet vetëm brenda pak ditësh si pasojë e hedhjes së mbeturinave pa kriter, kryesisht nga udhëtarët.