Ky është fshati Lubalesh në Njësinë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës. Një ndër problemet më të mëdha të këtij fshati është rrjeti i furnizimit me energji elektrike. Banorët thonë se që nga elektrifikimi i vitit 1969 në fshatin e tyre ka mbetur i njëjti rrjet shpërndarje të energjisë. Shtyllat që mbajnë telat përcjellës janë prej druri e në disa prej tyre, banorët ju kanë vendosur mbajtëse në mënyrë që të mos shemben. Për banorët e Lubaleshit, më problem furnizimi me energji është në ditët me shi, borë apo kur fryn erë e fortë e cila bashkon telat dhe i gjithë fshati mbetet në errësirë të plotë. Kabina elektrike e Lubaleshit është gjysma në tokë e gjysma në ajër. Rrëshqitja e tokës ka bërë që kabina të fundoset në të. Banorët shprehen se sapo ka reshje shirash ajo mbushet e ujë, ndërsa hyrja në të është shumë e vështirë. Nga ana tjetër banorët tregojnë se aty kanë shkuar disa herë drejtues të degës së OSHEE Bulqizë, por edhe pse kanë premtuar, nuk kanë bërë asgjë.
Fshati Lubalesh përbahet prej afro 60 familje dhe ndodhet vetëm 6 kilometra nga rruga nacionale Bulqizë – Peshkopi.