Dinamo është më pranë se kurrë afrimit të sulmuesit Xhuliano Skuka. Ashtu siç ka paralajmëruar prej ditësh “Panorama Sport”, drejtuesit e klubit blu janë futur në bisedime intensive me lojtarin dhe agjentin e tij. Skuka e mbylli sezonin në Kategorinë e Parë si pjesë e Korabit, duke shënuar 14 gola.
Burime të sigurta në klubin dinamovit i thanë gazetës se ditët e fundit ka pasur një takim mes palëve dhe gjërat duken në rrugë të mbarë.
Mësohet se golashënuesi ka kërkuar rreth 4 mijë euro pagë në muaj për t’u veshur blu, ndërsa drejtuesit e Dinamos duan që ta kenë me çdo kusht në skuadër, por nga ana tjetër, sulmuesi bën “presion” edhe me ofertat e tjera. Për Skukën ka një interesim konkret edhe nga Vllaznia e Partizani, paçka se blutë janë treguar më bindës me ofertën e tyre. Gjithsesi, gjasat janë që Skuka të pranojë ofertën e Dinamos dhe të debutojë në Superiore pikërisht me këtë ekip.