Monografi të vërteta konsiderohen ato që rrisin vlerat historike dhe shpirtërore të figurave që e deshën atdheun dhe u sakrifikuan për të, duke mbetur figura të pashlyeshme si Ali Metra, dhe që rrëfejnë rrugëtimin e lavdishëm të atyre që u shndërruan në ikonë të lirisë. Edhe libri “Historia e dëshmorit Ali Metra”, shkruar nga Shaqir Koliçi, është një përpjekje e përkushtuar për të portretizuar shpirtin, sakrificën dhe guximin e këtij dëshmori të atdheut. Autori Shaqir Koliçi, njohës i thellë i historisë ushtarake dhe i pasionuar për të transmetuar pasurinë dokumentare, ka punuar me një devotshmëri të jashtëzakonshme për të krijuar një lëndë tërheqëse dhe të pasur për dëshmorin matjan Ali Metra. Përkundër përvojës së tij si oficer ushtarak, ai arrin të përshkruajë ngjarjet dhe veprimet luftarake të Ali Metrës në detaje, duke e bërë këtë histori të jetëshme dhe mbresëlënëse për lexuesin. Nëpërmjet kontakteve të tij të drejtpërdrejta me njerëzit që njihnin Ali Metrën, autori Shaqir Koliçi ka grumbulluar një tërësi me dokumenta, që i kanë dhënë librit monografik “Historia e dëshmorit Ali Metra”, një dimension autentik dhe emocional. Kjo punë studimore bën të mundur të njohim edhe botën njerëzore të dëshmorit, ndjenjat e tij për atdheun dhe frymën e tij guximtare. Koliçi ka arritur të shkruajë në një gjuhë të pastër dhe tërheqëse, duke evituar nëndialektizmat dhe duke bërë këtë studim historik të jetë tërheqës për lexuesit. Ai e ka rikrijuar kohën dhe ngjarjet në një mënyrë që emocionon dhe frymëzon, duke sjellë përpara syve tanë një dëshmor vërtetë të paharruar. Monografia “Historia e dëshmorit Ali Metra”, e punuar me kujdes nga Shaqir Koliçi, na paraqet simbolin të lirisë dhe guximit Ali Metra të përjetësuar jo vetëm në emërtimin e shkollës së Komsisë, por tashmë edhe në këtë libër. Përmes tij, Autori ka arritur të transmetojë me sukses misionin e dëshmorit për lirinë e atdheut, nëpërmjet një vepre që do të mbetet si një testament për brezat e ardhshëm. Autori matjan Shaqir Koliçi është lindur në Macukull dhe krahas karrierës ushtarake tashmë po kontribuon edhe si autor me penën e tij.