Fenomeni i mplakjes së popullsisë shqiptare, meqë lindjet po bien, i dalë dhe nga projeksionet e OKB-së apo të INSTAT, priren të çojnë në ndryshimin e strukturës demografike në vend, e për pasojë dhe në shtimin e klasave kolektive nëpër shkollat tona. Por sa i përgatitur është arsimi shqiptar për t’u përballur me një sfidë të tillë? Pikërisht këtë dilemë mundohet të zgjidhë studimi monografik voluminoz “Klasat Kolektive në shekullin XXI” me autor Dr. Besnik Rama. Ashtu siç shkruan dhe vetë autori, ky libër u shërben të gjithë atyre që janë mësues, që punojnë apo do të punojnë në një shkollë me klasa kolektive, por dhe prindërve të nxënësve të këtyre klasave. Synimi është që, duke pasur një material të tillë didaktik në dorë, mësuesi i klasave kolektive ta ndihmojë çdo nxënës që ai të integrohet, të shfaqë, të krijojë dhe të zhvillojë identitetin e vet. Ky libër vjen edhe si një mbështetje për shkollat me klasa kolektive që u shërbejnë komuniteteve të zonave rurale, ku për to përgjithësisht ka pak mbështetje. Në 11 kapitujt e këtij libri metodik Dr. Besnik Rama u referohet studimeve dhe hulumtimeve për klasat kolektive, bazës ligjore në vend, rajon e botë, zhvillimeve më të fundit për rastet studimore në klasat kolektive, përfshirë këtu edhe në ish-ZA Mat, por jo vetëm kaq. Ai jep ide dhe parashtron alternativa për orët mbi normë në këto klasa, minutazhin e orës së mësimit, 30, 45 apo 60 minuta, dokumentimin e punës, strukturën e plan-ditarit, metoda të suksesshme, këshilla për prindërit e këtyre fëmijëve që të jenë pozitivë ndaj të nxënit në klasat e bashkuara. Ndaj dhe libri që po i referohet kjo kronikë televizive nuk duhet t’u mungojë bibliotekave personale, e aq më shumë atyre publike dhe të institucioneve arsimore, kudo nëpër vendin tonë.
Autori i librit “Klasat kolektive në shekullin XXI”, Doktori i Shkencave në Gjuhësi, Besnik Rama, tashmë specialist në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por me një përvojë 40-vjeçare në fushën e arsimit, ka një kontribut gjurmëlënës në këtë fushë si autor e bashkautor i një sërë librash me karakter metodik e studimor dhe i dhjetëra artikujve të referuar në konferenca kombëtare e ndërkombëtare.
GAZETAR: FATMIR NELI