Largohet nga drejtimi i Burrelit trajneri Hima, ja kush e zëvendëson

0
30

Megjithëse ka vetëm pak javë që është mbyllur përfundimisht kampionati i kategorisë së parë në futboll për sezonin 2023 – 2024, skuadrat nuk po humbin kohë në lëvizjet e stafit teknik por edhe të lojtarëve. Ekipi i futbollit “Burreli” e ka nisur me trajnerin, ku pas largimit të teknikut Klevis Hima i cili e drejtoi skuadrën për pothuajse 1 sezon, ka gjetur emrin e ri zëvendësues. Ai është Ditmar Bicaj dhe mes klubit “Burreli” dhe Bicajt është rënë dakord për të qenë tekniku i skuadrës matjane, por ende ai nuk është prezantuar para skuadrës.

Burime pranë Klubit të Futbollit “Burreli” thanë se brenda javës së ardhshme do të bëhet prezantimi i trajnerit të ri, i cili ka mundësinë të ndërtojë një skuadër gradualisht ashtu siç e mendon ai.  Ditmar Bicaj ka qenë pjesë e pankinës së Flamurtarit në rolin e zëvendëstrajnerit.

Ndonëse merkatoja e verës është ende larg për të nisur, klubet futbollistike kanë nisur piketimin e lojtarëve dhe po bëjnë ofertat e nevojshme. Kështu, deri tani nga skuadra e “Burrelit” është larguar Justin Naza dhe Xhonatan.

Nga ana e Klubit matjan konfirmohet se është në bisedime me disa lojtarë të tjerë të cilët pritet të paraqiten në ditët në vijim për të vijuar më pas me procedurat e nevojshme për të qenë pjesë e ekipit “Burreli” sezonin e ri që nis në muajin shtator.