Prej dekadash në fshatin Ostren i Madh në Bashkinë e Bulqizës është zhvilluar tregti një ditë në javë. Çdo të enjte banorë të Ostrenit por edhe të zonave të tjera përrreth, si Trebishti, mblidheshin në qendër të fshatit për të blerë produkte të ndryshme apo për t’i shitur ato. Por kohët e fundit, tregu tradicional në Ostren të Madh është drejt zhdukjes pasi ka më shumë pak tregtarë se blerës. Banorët thonë se shkak për këtë është mungesa e të ardhurave dhe se një pjesë shumë e madhe e tyre janë larguar. Edhe tregtarët e pohojnë një fakt të tillë duke u shprehur se kohët e fundit në pazar kanë mbetur vetëm ata, pasi fuqia blerëse ka rënë. Për tregtarët por edhe vetë banorët, asfaltimi i rrugës kryesore nga Ura e Çerenecit deri në Librazhd është shumë i vonë, pasi tashmë banorët janë larguar për mungesë të kësaj rruge atëherë kur nevojitej.
Dikur në tregun e fshatit Ostren i Madh në Bashkinë e Bulqizës mblidheshin banorë nga shumë fshatra por edhe nga Bulqiza për shkak të larmishmërisë së produkteve që tregtoheshin aty, por sot kanë mbetur shumë pak tregtarë që vijojnë sa të munden aktivitetin e tyre.