“Burreli” shkarkon trajnerin Stojku
5 humbje dhe vetëm një fitore ishte bilanci i ndeshjeve zyrtare që ka luajtur ekipi i futbollit “Burreli” në katër javë kapionat dhe dy ndeshje të Kupës së Shqipërisë. Kanë qenë këto rezultate të dobëta që kanë bërë që drejtues të Klubit të futbollit matjan të prishin kontratën me trajnerin e ekipit Gentjan Stojku. Vendimi është marrë mesditën e së Hënës në analizën e humbjes së ndeshjes së të shtunës ku matjanët pësuan plot katër gola në Shijak kundër Erzenit. Burime pranë klubit të Burrelit thanë se diskutimet me trajnerin Stojku janë bërë në analizë ku i është kërkuar llogari për këto humbje. Tre humbjet në transfertë ishin një arsye e fortë e drejtuesve të klubit për t’i kërkuar llogari stafit teknik. Por siduket kjo nuk është pritur mirë nga ana e Stojkut çka ka çuar zyrtarisht në prishjen e kontratës. Në javën e parë të këtij sezoni Burreli humbi në Peqin në përballjen me Shkumbinin. Po ashtu në javën e dytë erdhi një tjetër humbje në transfertë përballë Egnatias. Ndeshja e tretë në kampionat e humbur në transfertë ishte ajo ndaj Erzernit të Shiujakut, e cila përfundoi me rezultatin katër me zero. Dy humbje Burreli pësoi edhe në garën për kupën e Shqipërisë ku u mund nga Vllaznia në të dyja përballjet. Tashmë matjanët do të mendojnë për një trajner të ri. Ende nuk ka ndonjë emër zyrtar se kush mund ta marrë përsipër skuadrën e Burrelit duke e ditur se të shtunën do të kenë një tjetër sfidë të vështirë, ku do të presin Korabin, kryesuesin aktual të grupit A.