Ndonëse është lagjja më e vjetër e qytetit të Peshkopisë, banorët e lagjes “Kallavere” në këtë qytet ankohen për mungesë investimesh. Më shqetësuese situatën ata e shohin në infrastrukturë pasi rruga e tyre është pothuajse e pakalueshme sidomos në ditët me shi. Rruga në të vërtetë ngjan sikur është në zonat e thella të Dibrës e jo vetëm pak metra nga qyteti i Peshkopisë aty ku dhe ndodhen institucionet më të mëdha lokale e ato qëndrore në nivel vendor. Vetë banorët shprehen se shumë herë ka ndërhyrë vetë në këtë rrugë për ta bërë atë të kalueshme pasi askush nuk kujtohet për ta. Ata thonë se kanë marrë me qindra herë premtime, por askush nuk i ka mbajtur dhe vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën gjendje. Banorët ndjehen të braktisur ndaj thonë se nëse gjendja e rrugës së tyre nuk ndryshon, nuk do të marrin pjesë në votime.Nga ana tjetër banorët shprehen se lagjja e tyre është më e vjetra në qytetin e Peshkopisë por edhe për fat të keq më e lëna pas dore.