Lagjja Baku e disa lagje të tjera në fshatin rripë të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit kanë vazhdimisht probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Banorët e kësaj lagjeje thonë se uji shkon shumë rrallë dhe atëherë kur shkon, është i turbullt.
Ndërkohë të tjerë banorë thonë se nuk presin të shkojë uji nga rrjeti i ujësjellësit por çdo ditë i drejtohen burimeve natyrale të fshatit për të mbushur ujë për të pirë. Ata shprehen se edhe pse kanë bërë kërkesa të vazhdueshme në ish komunë apo edhe në bashki, problemi nuk është zgjidhur.
Banorët kërkojnë që pushteti vendor të ndërhyjë sa më parë në zgjidhjen e këtij problemi pasi situata është vërtetë kritike.